
Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë, duke dënuar me burgim të përjetshëm Kristjan Cenajn, i akuzuar për vrasjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj në vitin 2017, në Mamurras.
Prokuroria kishte kërkuar që ndaj Cenajt të aplikohej “periudha e sigurisë” – një dispozitë që ndalon lirimin me kusht edhe pas përmbushjes së 35 viteve burg. Megjithatë, kjo kërkesë nuk u pranua nga trupa gjykuese e Apelit.
Në seancë, përfaqësuesit ligjorë të familjes Gjonaj kërkuan zgjerimin e hetimeve, duke ngritur dyshime për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë krim të rëndë.
Mariglen Gjonaj u raportua i zhdukur në vitin 2017 dhe për vite me radhë u konsiderua i humbur. Trupi i pajetë i të miturit u gjet pas 7 vitesh në zonën e Fushë-Kuqes, ku rezultoi se ishte groposur nga autori.
Nga hetimet rezulton se Kristjan Cenaj akuzohet për veprën penale “vjedhje me pasojë vdekjen”. Dyshohet se motivi i krimit ishte një orë “Rolex” që viktima mbante me vete, të cilën Cenaj ia grabiti para se ta vriste dhe ta fshihte trupin.