Të paktën 11 pjesëtarë të Al Kaedes u vranë në 2 sulme ajrore të forcave amerikane në Idlib të Sirisë gjatë këtij muaji, përfshirë edhe një ish-aleat të Osama Bin Ladenit.
Zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis njoftoi se 10 pjesëtar ishin vrarë në një sulm të vetëm në 3 shkurt.
Një sulm i dytë i zhvilluar një ditë më vonë, rezultoi me vdekjen e Abu Hani al-Masri, i cili kishte lidhje të ngushta me ish-liderin e Al Kaedës. Al Masri thuhet të ketë krijuar dhe drejtuar kampet e grupit terrorist në Afganistan gjatë viteve 80 e 90.
Ai kishte lidhje të afërta edhe me Ayman al-Zaëahiri, i cili mori drejtimin e Al Kaedës pas vrasjes së Bin Ladenit nga forcat amerikane në 2011.
Një operacion amerikan kundër Al Kaedës në Jemen javën e kaluar, i pari që autorizohej nga presidenti i ri Donald Trump rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të forcave speciale dhe të 16 civilëve. Administrata e Trump-it e cilësoi operacionin si të suksesshëm.