Kim Jong nam, gjysmëvëllai i madh i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong un, është vrarë të hënën në Malajzi.
Lajmin e bën të ditur agjencia “Yonhap” dhe media të tjera koreano-jugore, që citojnë burime nga qeveria e Seulit.
Kim Jong nam jetonte kryesisht jashtë vendit komunist. Vrasja e tij, i konsideruar në periudhën 1994-2001 si pasuesi i vërtetë i liderit Kim Jong il, dyshohet të jetë kryer nga agjentë të spiunazhit të Penianit në aeroportin e Kuala Lumpurit.
Vrasja, sipas burimeve mediatike, është kryer nga dy agjente femra, të paidentifikuara, që e kanë eleminuar me gjilpëra të helmatisura.
Të dyshuarat më pas janë zhdukur pa lënë gjurmë, një veprim ky që ka ngritur dyshime serioze se pas ngjarjes është dora e regjimit të Veriut.
Nëse kjo hipotezë konfirmohet, atëherë do të jetë rasti i dytë i vdekjes së një personaliteti të lartë të familjes Kim, në pushtet prej rreth 70 vjetësh.
Në dhjetor të vitit 2013 u bë ekzekutimi i Jang Song thaek, xhaxha i liderit aktual të vendit të izoluar, që kishte qenë dhe kujdestar dhe numri dy i regjimit. njofton tch.
Përveç Jang, i akuzuar për grusht shteti, u shfarros e gjithë familja e tij dhe njerëzit e afërt me të. Fillimisht u përhapën zëra se, zyrtari ishte hedhur në një kafaz dhe shqyer nga një kope prej 120 qensh, version ky që u vlerësua i pabesueshëm.