Një grua palestineze ka mbetur e vrarë në Rripin e Gazës, ndërsa një tjetër person u plagos në zonën Khan Yunis pas përleshjeve me ushtrinë izraelite.
Lajmi është bërë i ditur nga pala palestineze, ndërsa përleshjet e fundit cilësohen si më të ashprat mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit që prej vitit 2014.
Zyrtarë izraelitë thanë se janë duke u përgjigjur sulmeve të fundit nga luftëtarët e Hamasit. Përleshjet nisën pasi Izraeli tha se kishte zbuluar një tunel të ri rreth 30 metra nën sipërfaqe i ndërtuar nga luftëtarët e Hamasit.
Në një deklaratë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Moshe Yaalon ka deklaruar se Izraeli do të vazhdojë kundërpërgjigjen ndaj veprimeve që cenojnë sovranitetin e vendit.
Në anën tjetër, militantët e Hamasit paralajmërojnë se “nuk do të lejojnë vazhdimin e agresionit sionist kundër “Rripit të Gazës.
Prej të mërkurës, Hamasi dhe grupet e tjera palestineze kanë qëlluar me plumba dhe predha mortaje në të paktën 10 raste, ndërsa forcat izraelite janë kundërpërgjigjur me të paktën tri sulme me bomba.