Zyrtarët afganë dhe talibanët thanë se një komandant i lartë i grupit militant është vrarë në veri të Afganistanit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Sediq Sediqqi, tha se Mullah Abdul Salam Akhund, është vrarë në një “operacion special”. Ai nuk dha më shumë detaje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Dawlat Waziri, tha se Akhund është vrarë së bashku me nëntë militantë të tjerë talibanë.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, konfirmoi vdekjen e Akhundit përmes një deklarate, duke thënë se ai është vrarë në një sulm ajror të Shteteve të Bashkuara në qarkun Dashti-e-Arhi, në provincën Kunduz.
Akhund, komandant i forcave talibane në Kunduz, është shpallur i vdekur disa herë në të kaluarën, por është shfaqur sërish, shkruan REL.
Një zëdhënës i ushtrisë amerikane i tha agjencisë Reuters se avionët ushtarakë të ShBA-së kanë kryer një sulm ajror në Kunduz, më 26 shkurt, porse “nuk ka konfirmime për rezultatin”.