Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, braktisi planin që të shkojë të mërkurën në Kosovë për të mbajtur tubim para zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Serbi, meqë siç u shpreh “nuk pranon urdhra e shantazhe nga Prishtina”.
Më herët gjatë së martës, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Aleksandër Vuçiçit i është dhënë leje të qëndrojë në Kosovë “si shenjë e vullnetit të mirë kundruall miqve ndërkombëtarë si Gjermania dhe Bashkimi Evropian”.
Qeveria e Kosovës, sipas medieve lokale, i kishte kërkuar atij të mos shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç, dhe ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç.
“Nuk vjen në shprehje kjo lloj trysnie dhe cirku që ka bërë Prishtina”, i tha televizionit shtetëror serb kryeministri Vuçiç, duke theksuar se ka vendosur të mos shkojë në Kosovë “për të mos vënë në pozitë të vështirë qytetarët e komunitetit serb”.
Zgjedhjet presidenciale në Serbi mbahen më 2 prill dhe Vuçiç është kandidati kryesor. Serbët e Kosovës planifikojnë të votojnë të dielën sikundër kanë bërë edhe në të kaluarën në zgjedhjet serbe, por ende nuk është e qartë se si do të mbahen këto votime.
Në të kaluarën Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kishte hapur qendra votimi për t’u mundësuar pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë në një operacion që ishte quajtur “grumbullimi i votave”.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Pjesë e marrëveshjeve është edhe lejimi i vizitave të ndërsjella. Në muajin janar Prishtina zyrtare nuk i dha leje presidentit aktual serb Tomislav Nikoliç që të qëndrojë për një vizitë në Kosovë me rastin e krishtlindjeve ortodokse.
Zgjedhjet e së dielës në Serbi shihen si sprovë për politikat e kryeministrit aktual serb që ecën në vijën e ngushtë ndërmjet aspiratave për anëtarësim në BE dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë.