
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Beogradi ka kërcënuar me përshkallëzim të konfliktit në rajon. Por ky reagim i Vuçiqit ka nxitur që Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Osmani të reagoj.
Në një reagim të ashpër në rrjete sociale, Sadriu akuzoi Vuçiqin se po përpiqet të delegjitimojë deklaratat e jo vetëm Osmanit, por edhe të presidentit amerikan Donald Trump.
“Vuçiq i quan gënjeshtarë presidentët Trump dhe Osmani, pasi ata deklaruan se Presidenti Trump kohët e fundit parandaloi luftën e radhës të Serbisë kundër Kosovës,” shkroi Sadriu.
Ai shtoi se, sipas Vuçiqit, vetëm presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin janë “burime të vërtetës”.
Së fundmi, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar në disa intervista se gjatë mandatit të tij ka ndërhyrë për të ndalur përshkallëzimin e një konflikti të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto deklarata janë konfirmuar edhe nga Presidentja Osmani, e cila tha se ka informacione të besueshme për përfshirjen e Trumpit në parandalimin e tensioneve.