Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe shfaqjes së emrit të Millan Radoiçiqit në publik në lidhje me atë vrasje, Aleksandar Vuçiq në fillim kishte thënë se nuk e njeh fare Radoiçiqin.
Pastaj, nga pozicioni që ai nuk e njihte Radoiçiqin, ai kaloi në mbrojtësin e tij më besnik, duke e vendosur publikisht “dorën në zjarr” se ai nuk ishte vrasësi i Oliver Ivanoviqit.
Më vonë, Millan Radoiçiq madje u bë nënkryetar i Listës Serbe.
Prokuroria e Kosovës dyshon se Millan Radoiçiq ishte i përfshirë në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, por, edhe pse procedura gjyqësore po zhvillohet në Prishtinë, siç raporton portali serb Kossev, Radoiçiq nuk është akuzuar.
Ai për vite me radhë nuk është në dispozicion të autoriteteve të Kosovës, pas përpjekjes për ta arrestuar në Mitrovicën e Veriut ai është arratisur në Serbi dhe autoritetet serbe nuk e kanë ndërmend ta dorëzojnë atë drejtësisë në Kosovë.
Në adresimin e vetëm publik deri më tani për këtë rast, Radoiçiq ka deklaruar se në Kosovë ka pasur “përpjekje për ta likuiduar, dhe se ai nuk kishte asgjë me vrasjen e Ivanoviqit”.
Të përkujtojmë, politikani serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicën e Veriut, ku atëbotë bosi i krimit të organizuar i lidhur ngushtë me pushtetin aktual në Serbi ishte Millan Radoiçiqi. Në momentin e vrasjes së Ivanoviqit nuk punonte asnjë video mbikëqyrjeje në qytet.
Vrasjes së tij ka paraprirë një fushatë brutale mediatike e PPS të Vuçiqit dhe e Listës Serbe, e cila në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës – ka vizatuar shënjestrën në ballin e tij. Në prag të vrasjes, vetë Oliver Ivanoviq ka folur për presionet në kuptimin që e vetmja gjë që kishte mbetur ishte vrasja e tij./Insajderi.org.