Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se aktgjykimi i shkallës së tretë kundër Ivan Todosijeviq dhe siguria e serbëve në Kosovë janë me rëndësi kyçe për Serbinë, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si i vlerëson paralajmërimet e Albin Kurtit në lidhje me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe si të arrihet një zgjidhje kompromisi në një situatë kur Prishtina refuzon të zbatojë marrëveshjen e Brukselit, dhe nuk respekton marrëveshjen e Uashingtonit, Vuçiq ka thënë se “mundohet ta shpërfillë atë”.
“Pë ne është me rëndësi që të ruajmë sigurinë e njerëzve tanë në Kosovë sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse ne do të shohim se cili do të jetë reagimi ndaj vendimit në shkallën e tretë kundër Ivan Todosijeviqit. Kjo është me rëndësi kyçe për ne”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se “ne duhet të shohim se cilat janë gjërat tjera që kanë të bëjnë me respektimin e marrëveshjes së Brukselit, a do ta bëjnë ata këtë apo jo”. “Absolutisht e pamundur të ndikosh në veprimet joracionale. Nuk mund të ndryshosh asgjë”, përfundon Vuçiq./Insajderi.org.