×
  • Lajme
  • Insajderi

    Vuçiq flet për propozimin franko-gjerman, ironizon Kurtin

    Insajderi
    08 October 2022 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    President serb Aleksandër Vuçiq mbajti paraditen e sotme një konference për media në Beograd ku Kosova zuri vendin e parë ndër çështjet që diskutoi me gazetarët prezentë.

    Ai foli për propozimin franko-gjerman që i kërkon Serbisë të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe si shpërblim do të ketë ndihma ekonomike dhe lehtësim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

    Vuçiq tha se e kishte fjalën pikërisht për këtë propozim kur deklaroi kohë më parë se “po ndryshon arkitektura e bisedimeve” por ndaj të cilës deklaratë kishte reaguar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak të cilën e kishte mohuar dhe e kishte parë të çuditshme fjalorin e përzgjedhur nga presidenti serb.

    “Kur thashë qe po ndryshon arkitektura e bisedimeve, atëherë më demantuan nga Bashkimi Evropian, nuk e kuptova se cili ishte qëllimi i atij mohimi, sepse po ndryshon pothuajse rrënjësisht, sepse sot kemi në tryezë një propozim nga dy fuqitë më të mëdha evropiane Gjermania dhe Franca, kjo është hera e parë që po ju flas për këtë në këtë mënyrë, dhe ai propozim është një propozim që duhet të diskutojmë dhe të mendojmë, do t’ju them se cili është qëndrimi im. Nuk mund ta hedhesh nga dritarja një propozim që vjen nga dy vendet më të fuqishme sepse kjo është e papërgjegjshme dhe joserioze, dhe gjithashtu nuk jam i sigurt nëse mund ta pranojmë dhe do t’ju them se cilat janë vijat tona të kuqe dhe nuk jam i sigurt që do t’i pëlqejë dikujt”, deklaroi Vuçiq.

    Presidenti serb tha se thelbi i propozimit franko-gjerman është që Serbia të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

    Sipas tij, Serbia nuk do të jetë e detyruar që të njohë pavarësinë e Kosovës, pasi siç tha ai “nuk duan të na poshtërojnë më shumë”. Ndërsa shteti serb do të kishte dhe benefite të tjera.

    “Thelbi është që Serbia ta lejojë Kosovën të hyjë në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Serbia për këtë nuk është e definuar, por do të merrte hyrje më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike… Sepse e gjithë ideja bazohet në faktin se në një mënyrë ose në një tjetër, pa njohjen tonë, nuk do të ishim të shtyrë, që të mos jem më tepër të poshtëruar dhe të detyroheshim të njihnim zyrtarisht Kosovën, por do të ishte e rëndësishme që ne të mos kundërshtojmë dhe t’u japim një sinjal të qartë të gjithëve se jemi dakord me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, vijoi Vuçiq.

    Vuçiq u shpreh se do të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara ndërsa sa të jetë ai president nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës.

    “Ajo që është politika e vendit tonë është që ata mund të na marrin gjithçka, mund të bëjnë gjithçka, ne do të luftojmë sa të mundemi me gjithë fuqinë tonë, politike dhe ligjore, për të mbrojtur vendin tonë, për të mbrojtur kufirin tonë dhe të ruajmë dhe të mbrojmë integritetin tonë territorial në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike anormale. Duket, por gjithsesi nuk ka vullnet në këtë moment, kam biseduar me kryeministrin, nuk ka vullnet në lidershipin serb, ndërsa deri sa unë jam president, të paktën në atë një pjesë të pushteti ekzekutiv, nuk do të ketë vullnet për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq.

    Presidenti serb tha se nuk e di nëse do të ketë takime në kuadër të dialogut ndërsa përdori ironinë për të përshkruar procesin e regjistrimit të veturave të serbëve me tabelat e Republikës së Kosovës.

    “Sa për negociatat dhe bisedime nuk e di se a do të ketë, shoh që riregjistrimi po ju shkon shumë mirë, serbët dëgjuan zërin e ëmbël të Albin Kurtit, 9 prej tyre kanë aplikuar për ndërrimin e targave prej 9000 automjeteve, çdo 1000, pra mirë ju ka ec deri tani. Kaq sa për besimin e serbëve në Albin Kurtin dhe institucionet e tyre”, tha Vuçiq.

    Kreu i shtetit serb tha se për herë të parë duhet të pranojë se dërgimi i çështjes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte gabim më i madh që ka bërë Serbia. GjND i kishte dhënë të drejtë Republikës së Kosovës në aktin e saj për pavarësi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark