Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq iu ka drejtuar serbëve të Kosovës, para protestës së sotme në Rudar.
Vuçiq ka thënë se do të mbahet një protestë e madhe, popullore dhe demokratike e serbëve nga të gjitha zonat ku jetojnë, përcjell Insajderi.
“Serbët nuk kërkojnë shumë, ata duan vetëm atë që u takon të gjithë njerëzve të qytetëruar në Evropë. Atë që të gjithë kanë të drejtë, vetëm serbëve iu mohohet. Ata kërkojnë lirimin e të arrestuarve pa asnjë arsye”, ka deklaruar Vuçiq.
Gjatë nxitjes së tij për protestë, Vuçiq ka harruar se polici i arrestuar, Dejan Pantiq akuzohet për terrorizëm pasi i njëjti ka sulmuar objektet e KQZ-së në veri.
Presidenti serb, në deklarimin e tij, ka vazhduar viktimizimin teksa ka thënë se Policia e Kosovës po tenton të pushtojë veriun e Mitrovicës.
“Serbët po kërkojnë krijimin e Asociacionit që ishte kushti i parë në Marrëveshjen e Brukselit. Si president i Serbisë unë do t’i mbështes gjithmonë dhe nuk do t’i fshihem të mëdhënjve dhe të fuqishmëve të botës. Kur e them këtë jam i përgjegjshëm për t’i thirru ata në ruajtjen e paqes dhe qetësisë. Rroftë populli serb në Kosovë. Rroftë Serbia”, ka përfunduar Vuçiq. /Insajderi