“Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u vendos si prioritet, dhe më duhet të them që me të vërtetë jam i kënaqur me këtë”. Kështu deklaroi dje pas 12 orësh negociata në Ohër Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para gazetarëve derisa lajmëroi se ditën e nesërme do t’i adresohet publikut serb për të dhënë shpjegime të mëtejme rreth asaj se për çka është arritur pajtim e për çka jo, shkruan Insajderi.
Aleksandar Vuçiq këtë të dielë në ora 11:00 do të mbajë konferencë për media, u lajmërua mëngjesin e sotëm nga Presidenca e Serbisë. Megjithatë, të shtunën, me të dalë nga takimi, Vuçiq pati shumëçka për të thënë.
“Soti ishte dita kur u desht të pajtohemi rreth planit të zbatimit. Çfarë është e rëndësishme të thuhet është se këto disa pika për të cilat u pajtuam do të bëhet pjesë e kornizës negociuese. Njëra nga pikat kyçe është se Këshilli Evropian do të bëjë vlerësimin rreth asaj se sa është bërë punë në planin e zbatimit, e cila edhe do të zgjerohet më tej”.
“Formimi i Asociacionit u vendos si obligim prioritar. Më duhet të them se për këtë jam i kënaqur. Ka ende bisedime për t’u bërë rreth personave të pagjetur dhe konferencës së donatorëve. Plani gjithsesi se do të azhurnohet”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evorpian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pas 12 orësh negociatash të vështira, ishte i lumtur të njoftonte se palët janë pajtuar rreth Aneksit të Zbatimit të Marrëveshjes, shkruan Insajderi.
“Për të zbatuar Nenin 7 të marrëveshjes Kosova është pajtuar që menjëherë të nis, dhe kur them menjëherë them menjëherë, negociatat me Dialogun e Fascilituar nga BE në themelimin e aranzhimeve specifike dhe garancioneve për të siguruar një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë”, tha Josep Borrell./Insajderi/