Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk ndihet rehat me Albin Kurtin, por se është “më e lehtë të bisedohet” me të në Bruksel në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Tanjug.
“Ai nuk dëshiron të bisedojë për të ardhmen, nuk është i interesuar për këtë. Ai nuk bisedon. Është e pakëndshme të bisedosh me të, por edhe më e lehtë”, ka thënë Vuçiq për televizionin serb TV Happy.
“Bisedimet me përfaqësuesit e tjerë të Prishtinës ishin ndryshe, me ta është biseduar për obligimet që nuk ishin të lehta për t’u përmbushur”.
“Sot për mua është më lehtë, por më e pakëndshme”, ka thënë Vuçiq.
I pyetur se çfarë diskutuan në mënyrë specifike në Bruksel, Vuçiq ka thënë se bëhej fjalë për tre gjenocidet dhe shtoi se “nuk mund ta besonte çfarë ka dëgjuar nga Kurti”.
Ai shtoi se, nga ana tjetër, në Bosnje dhe Hercegovinë flasin për pesë gjenocidet e kryera nga serbët. “Kjo është një nga hipotezat në rajon se serbët janë popull që kryen gjenocide. Shqiptarët i referohen territorit të Toplicës dhe harrojnë të thonë se të gjitha toponimet e Kosovës janë serbe”, “argumenton” presidenti i Serbisë./Insajderi.org.