Presidenti i Serbisë në një deklaratë për gazetën gjermane “Handelsblatt” ka thënë për zgjidhjen e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë “duhet një kompromis”.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë paqe të qëndrueshme. Serbia dhe unë duam paqe. Le të ndalojmë çmendurinë e së kaluarës. Atëherë i gjithë rajoni mund të bëhet motori i rritjes së re për Evropën”, ka pretenduar Vuçiq duke shtuar se “rruga serbe ndjek rrugën gjermane për në Evropë dhe se Serbia dëshiron një shans të drejtë”.
“Unë besoj në fjalët e Merkelit. Ajo është në fund të mandatit të saj dhe nuk më duhet ta lavdëroj më. Por ajo na dha stabilitet, liri të udhëtimit në BE, ndihmoi në krizën e migrantëve në vitin 2015. Dhe e ka lutur ministrin e ekonomisë Altmeier dhe të tjerët të punojnë ngushtë me ne”, ka thënë ai.
Kur u pyet nëse ka ndonjë indikacion që qeveria e re gjermane do të mbështesë Serbinë në të njëjtën mënyrë, Vuçiq shprehu bindjen se do të jetë e njëjta.
“Unë e njoh Armin Lachet, kam folur me të kur ishte kryeministër i Rajnës-Vestfalia të Veriut. Ai është shumë i mençur dhe e kupton situatën në Ballkan dhe sigurisht që do të vazhdojë politikën e Merkelit ndaj rajonit tonë si kancelari i ri”, ka shtuar ai.
Vuçiq gjithashtu shprehu bindjen e tij se “Rusia, nëse anëtarësimi i Serbisë në BE do të konkretizohej, nuk do të reagonte në mënyrë të ngjashme si në rastin e Ukrainës”, dhe se “ky është një vendim sovran i Serbisë”./Insajderi.org.