Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë për portalin çek “Parlamentnji list” se nuk beson se NATO ndonjëherë do të kërkojë zyrtarisht falje për bombardimin e RF Jugosllavisë në vitin 1999, siç bëri presidenti çek Milos Zeman.
“Ata do të vazhdojnë të përsërisin se bënë më të mirën e mundshme dhe donin vetëm të parandalonin një katastrofë humanitare. Unë nuk besoj në ndonjë falje zyrtare institucionale nga NATO. Por nëse më pyet a është Milos Zeman presidenti i fundit që e bën këtë, unë nuk mendoj kështu. Kjo është e para, por nuk është e fundit”, ka thënë Vuçiq.
Ai deklaroi se falja e presidentit çek për bombardimet ishte një “balsam shërues për plagën e kombit serb”.
“A e dini se çfarë do të thotë kjo për një komb të vogël në Evropë? Kombi ynë i vogël u sulmua nga 19 vende të huaja, të cilat gjithmonë do të thonë se e bënë këtë për shkak të katastrofës humanitare, për shkak të fëmijëve, për shkak të gjithçkaje. Në vend të kësaj, ata me këtë bombardim vranë 72 fëmijë në Serbi. A ishte ky çmimi që u detyruam të paguanim? A donin ata të na ndëshkonin në këtë mënyrë? Ky me të vërtetë nuk ishte një dënim i ligjshëm. Kjo është arsyeja pse fjalët e presidentit Zeman nuk janë vetëm të rëndësishme për mua, por gjithashtu ngre krenarinë time dhe dinjitetin e kombit tonë. Ai nuk mund t’i bënte më të lumtur qytetarët tanë”, ka pretenduar Vuçiq./Insajderi.org.