Sot, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “paralajmëroi” SHBA dhe BE-në “se për ndryshim të mundshëm të Marrëveshjes së Uashingtonit duhet të pyetet Serbia”.
Kur u pyet në lidhje me takimin midis të dërguarit të posaçëm të BE për dialog, Mirosllav Lajçak dhe ndihmësit të sekretarit të shtetit të SHBA, Philip Reeker, në të cilën thuhet se janë marrë vesh për ndryshimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, Vuçiq ka deklaruar se “për një gjë të tillë duhet të pyetet Serbia”.
“Shumë mirë që janë takuar Reeker dhe Lajçak, bukur, ata janë shumë të rëndësishëm, por për pjesën të cilën e nënshkruan Serbia dhe të cilën Serbia e pranon, për këtë dikush duhet të bisedojë me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me të gjithë, por se diçka është punë e kryer sepse janë takuar amerikanët dhe evropianët apo gjermanët, nuk është e kryer”, ka thënë sot Vuçiq.
Ai shtoi se është interesant fakti se të gjithë ata që kritikuan marrëveshjen e Uashingtonit, duke thënë se ajo nuk ishte në favor të Serbisë, tani kryesisht po heshtin sepse e shohin se po e kundërshtojnë shqiptarët dhe “disa individë në Evropë”.
Reeker dhe Lajçak u takuan më 12 janar, kur Lajçak njoftoi se me këtë rast u ripërtëri bashkëpunimi i fortë evropiano-amerikan për Ballkanin Perëndimor.
“Ne gjithashtu biseduam në detaje për situatën në rajon dhe diskutuam për aktivitetet e ardhshme”, ka shkruar Lajçak në Twitter./Insajderi.org.