Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe i dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në takimin e sotëm janë pajtuar se “prania e UNMIK -ut është e rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë”, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Presidenti i Serbisë ka kërkuar nga Tanin që “të përdorë ndikimin e tij dhe të paralajmërojë Prishtinën se me masat e saj të njëanshme dhe provokuese po e rrit tensionimin dhe të po e rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Vuçiq ka theksuar “rëndësinë e komunikimit me UNMIK –un”, duke shtuar se “Serbia është gjithmonë e gatshme të bëjë përpjekje shtesë në mënyrë që të zhvillojë më tej modele të shkëmbimit të mendimeve me Misionin e OKB -së në Kosovë”, ka kumtuar shërbimi për shtyp i presidentit serb, transmeton Insajderi.org.
Kreu i UNMIK -ut, Zahir Tanin, falënderoi Vuçiqin për gjetjen e kohës për kontakte telefonike në kushtet e vështira gjatë pandemisë në lidhje me ngjarjet aktuale në Kosovë.
Vuçiq theksoi se “veprimi i fundit i Prishtinës dhe vendosja e pjesëtarëve të ROSU në vendkalimet “administrative” në Jarinjë dhe Bërnjak është një masë e re provokuese dhe e njëanshme pas përpjekjes për të formuar Ushtrinë e Kosovës dhe për të vendosur taksa mbi mallrat serbe, gjë që shkakton shqetësim të madh për të ardhmen e Serbisë në Kosovë”. Kreu i UNMIK -ut theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe rëndësinë e të gjitha përpjekjeve në drejtim të bashkëpunimit konstruktiv rajonal./Insajderi.org.