Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se Serbia është plotësisht e gatshme për dialog mbi personat e zhdukur dhe të të tregojë konkretisht duke gërmuar çdo vend për të cilin ekziston dyshimi për ndonjë varr, por që gjithashtu pret të njëjtën nga pala kosovare.
“Ne e treguam këtë në vepër në Kizhevak, ku zbuluam një varrezë dhe ftuam anëtarë të familjeve shqiptare të cilët erdhën dhe kanë mundur të vendosnin lule atje ku janë varrosur mbetjet e të dashurve të tyre. Por ne kërkojmë që këtë përgjegjësi të tregojnë edhe ata ndaj serbëve të vrarë në Kosovë”, ka deklaruar Vuçiq.
“Vlerësimet tona janë se disa dhjetëra serbë të vrarë në morgun e Prishtinës dhe kërkojmë që përfundimisht të bëhet një analizë dhe të shohim se kush janë ata persona. Ne u ofruam shqiptarëve dhe u thamë se jemi të gatshëm, gjë që ata e refuzuan në mandatin e kaluar, dhe unë dua të besoj se tani do të pranojnë – të na thonë se kudo mendojnë se ka ndonjë varr që të bëjmë të gjitha gërmimet e nevojshme në atë vend dhe të shohim nëse ka trupa dhe mbetje, pretendon Vuçiq duke “harruar” të përmend se të gjitha detajet për këtë çështje posedojnë ushtria dhe inteligjenca serbe.
“Por ne kërkojmë këtë edhe për ne, sepse kemi “disa indikacione” se ku janë varrosur ushtarë dhe civilë të kombësisë serbe”, vazhdon ai.
Vuçiq thotë se “është e mundur që kjo të kryhet nëse udhëheqja e Kosovës mendon dhe dëshiron që ta zgjidhim çështjen e personave të zhdukur”.
Ai ka pretenduar se “kjo është një çështje humanitare dhe shumë e rëndësishme për familjet e njerëzve të vrarë, pavarësisht nëse ata janë serbë apo shqiptarë”./Insajderi.org.