Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka treguar edhe një herë prirjen e tij drejt një politike që e ndan gjithnjë e më shumë Serbinë nga vlerat dhe integrimet evropiane dhe e afron atë me regjimet autoritare. Në samitin e BRICS në Kazan, Vulin shprehu mbështetje të hapur për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë dhe pranimin e Serbisë në BRICS, duke injoruar pasojat që një politikë e tillë mund të ketë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Duke e paraqitur Serbinë si “neutrale” në një intervistë për median pro-Kremlinit RIA Novosti, Vulin theksoi “kënaqësinë” e tij me pajisjet ushtarake ruse dhe shprehu gatishmërinë për blerje shtesë, duke injoruar sanksionet perëndimore kundër Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës. “Pajisjet ruse janë të shkëlqyera dhe ne jemi shumë të kënaqur me të”, tha Vulin, duke injoruar plotësisht pasojat që një politikë e tillë mund të ketë në rrugën evropiane të Serbisë dhe në stabilitetin e rajonit.
Përveç kësaj, Vulin tregoi gatishmëri që Serbia t’i bashkohet BRICS, i përbërë nga vende me regjime autoritare si Rusia dhe Kina.
Në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vulin vazhdoi të kritikonte BE-në duke e akuzuar atë se “gënjente Serbinë”. Megjithatë, ai ka injoruar faktin se Serbia, dhe veçanërisht zyrtarët e saj të lartë, nuk kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt një dialogu konstruktiv.
Qasja e Vulin ndaj Rusisë, së bashku me një ton të rrezikshëm të refuzimit të politikave perëndimore, tregon për një prirje më të thellë brenda qeverisë serbe që preferon afërsinë me Moskën në një kohë kur shumë në Evropë po distancohen gjithnjë e më shumë nga ndikimi rus.
Dhe ndërsa BE-ja lufton për të ruajtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, Vulin preferon qartë partneritetet me ata që mbështesin regjimet jodemokratike. Fjalët e tij për “lirinë e zgjedhjes” në BRICS janë vetëm një “perde tymi” që fsheh realitetin se Serbia po bëhet pjesë e rrethit të vendeve që luftojnë kundër vlerave perëndimore./The Geopost