Trajneri nga Kroacia, Jaksha Vuliq nuk është më trajner i Sigal Prishtinës.
Klubi i Superligës së Kosovës në basketboll, të hënën ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me Vuliqin. Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, Prishtina ka shkruar se ka ndarë rrugët me trajnerin Vuliq, të cilin e ka falënderuar për kontributin e dhënë.
Largimi i Vuliqit ka ardhur një ditë pas humbjes nga Golden Eagle Ylli në Suharekë, e cila ishte disfata e tretë rresht e Prishtinës në kampionat.
Vuliq mori drejtimin e Prishtinës në fillim të këtij viti, ndërsa është trajneri i dytë i huaj këtë edicion pas lituanezit Zydronas Urbonas.
Aktualisht, Prishtina është e katërta në tabelë me 38 pikë të mbledhura pas 24 xhirove të zhvilluara.