Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka publikuar shkeljet për komunën e Vushtrrisë. Në këtë raport është cekur Angazhimi i punonjësve pa procedura për shërbime të veçanta. Përmes këtij raporti, auditorit ka gjetur se komuna e Vushtrrisë në vitin 2021 ka punësuar pa konkurs 141 punonjës në disa pozita duke shpënzuar mbi 150 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
“Komuna në vitin 2021 kishte angazhuar 141 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta për periudhën nga tetori deri në dhjetor 2021”.
Ky staf është angazhuar në kohën e pandemisë pa përfillur procedurat e rekrutimit përmes zyrës së Prokurorimit.
“Ky staf ishte angazhuar pasi që kishte mangësi në sistemin për aplikimin e procedurave të përcaktuara ligjore për punësimin e stafit për pozita të rregullta të aprovuara me planin e personelit, si dhe për shkak të mungesës së stafit gjatë pandemisë, për plotësimin e shërbimeve komunale”, thuhet në raportin e auditorit, përcjell Insajderi.
Mosrespektimi i ligjit i ka shkaktuar komunës së Vushtrrisë vlerën rreth 150 mijë euro. Sipas raportit, të punësuarit kanë qenë kryesisht infermier, zyrtarë për leje ndërtimore e për mirëqenie sociale
“Bazuar në shënimet e Thesarit, për shërbime të veçanta janë paguar në vlerë të përafërt 150,071€. Ne kemi testuar tre mostra dhe kemi identifikuar se komuna nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit publik për angazhimin e tyre. Kontratat e nënshkruara mes komunës dhe të angazhuarve kryesisht ishin për pozita të rregullta të punës (jo specifike) si për infermier, zyrtar për leje ndërtimore, për mirëqenie sociale etj”.
Çfarë ndikimi ka pasur anashkalimi i procedurave të prokurorimit
Anashkalimi i procedurave të prokurimit në lidhje me mbulimin e pozitave për shërbime të veçanta, përveç mosrespektimit të procedurave ligjore po ashtu e rritë edhe rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita dhe detyrat e caktuara, çka mund të reflektoj edhe në performancën e tyre në punë.
Cilat janë rekomandimet e Zyrës së Auditorit për Komunën e Vushtrrisë
Rekomandimi A4 Kryetari duhet të sigurojë se janë ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat e prokurimit në angazhimin e kontraktorëve individual për shërbime të veçanta duke u kujdesur që personeli i angazhuar do të jetë në gjendje të përmbush detyrat e kërkuara. Po ashtu, menaxhmenti duhet të përkujdeset që angazhimet për pozitat e rregullta të zhvillohen përmes procesit të rregullt të rekrutimit.