×
  • Lajme
  • Lajme

    VV: Cilado datë që vendoset nga presidentja për mbajtjen e zgjedhjeve është e pranueshme

    Insajderi
    16 August 2024 - 14:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se cilado datë që vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, është e pranueshme për këtë parti.

    Kështu ka deklaruar sot deputetja e VV-së, Arjeta Fejza para mediave pas një konference që ky subjekt politik kishte për çështjen e subvencionimit të librave shkollor.

    “Ne e kemi thënë vazhdimisht që kemi qenë të gatshëm për zgjedhje dhe sidomos tani që jemi në gjashtëmujorin e fundit të qeverisjes, për neve data e përcaktuar nuk është shumë e rëndësishme, sa është e rëndësishme gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo i mbetet pastaj presidentes për ta caktuar. Ne kemi dërguar normalisht propozimin tonë, vendimi përfundimtar sigurisht që i takon presidentes. E kemi dërguar propozimin, por cilado datë që vendoset nga presidentja është e pranueshme”, deklaroi.

    Sot u raportua se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar 2 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani konfirmoi dje se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ, ia ka dërguar tashmë me shkrim datën e preferuar nga subjekti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve.

    “Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Osmani, pa treguar se cili ka qenë propozimi i Kurtit.

    Ndërsa, në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, si datë për zgjedhjet e kanë dhënë 26 janarin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark