Deklarata e ministrit të Financave, Avdullah Hoti, se buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm e përkrahë në parim edhe opozita, e ka demantuar partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.
Përkundër mospajtimeve të mëdha lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri Hoti ka thënë se këtë buxhet e përkrahë edhe opozita.
“Nuk është buxhet partiak është i shtetit te Kosovës, unë besoj se të gjithë në parim e përkrahin ketë buxhet, edhe opozita” ka thënë ministri Hoti në Klan Kosova.
Por VV i ka thënë Insajderit, se nuk do ta përkrahë këtë buxhet.
“Nuk e di për çfarë opozite flet ministri, por ai është besoj i njoftuar se opozita në Komision për Buxhet ka votuar kundër këtij buxheti. E njëjta do të ndodhë edhe me votimin në Parlament, të paktën sa i përket VV’së”, ka thënë VV, për Insajderin.
VV ka kundërshtuar edhe kryeministrin Isa Mustafa i cili tha më herët se “buxheti nuk është partiak por është i shtetit te Kosovës”.
“Do ta votojmë kundër buxhetin sepse është buxhet elektoral, buxhet i pazareve mes partive të koalicionit, pra buxhet që nuk garanton zhvillim ekonomik, rrjedhimisht nuk sjellë as mirëqenie sociale”, ka thënë zyra për media e VV-së.
Hoti thotë se edhe opozita përkrahë buxhetin e ri te Kosovës