Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore disa materiale me video, që sipas tyre dëshmojnë pafajësinë e aktivistëve të tyre të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, VV ka thënë se sistemi i drejtësisë “tashmë i ka edhe provat se aktivistët nuk kanë qenë fare as vendit ku ka ndodhur sulmi atë natë.”
“Tashmë faktin që aktivistët e nuk kanë qenë aty dhe alibinë e dëshmuar me video dje në konferencën e Lëvizjes, e ka parë gjithë opinioni në Kosovë, por meqë mund të ketë hapësirë për keqkuptime, ne sot i kemi sjellë nga një kopje të kësaj videoje edhe prokurorisë e edhe gjykatës”, ka thënë aktivisti Valdrin Ahmeti pas dorëzimit të alibive në Gjykatë.
“Deri më tani, përveç fotografive nga disa markete dhe fotografive nëpër bankomate, hetuesia dhe prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë provë bindëse as për t’i mbajtur 48 orë, e lëre më 95 ditë siç po ndodhë”, shtoi më tej Ahmeti.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve tanë që po mbahen padrejtësisht në burg: Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, dhe aktivistët Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi që po mbahen në arrest shtëpiak”, thuhet në komunikatën e partisë më të madhe opozitare.
Dardan Molliqaj nga kjo parti, të enjten ka prezantuar video materialet që u dërguat sot në gjykatë.
VV ka organizuar edhe një aksion afër Pallatit të Drejtësisë duke kërkuar lirimin e aktivistëve./Insajderi.com