
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një aksioni simbolik kanë uruar kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin në ardhje, Hashim Thaçin për këtë ditë, duke i uruar siç thanë ata, për ditën e tyre.
Me një pankartë 40 metra e gjatë, në të cilën thuhet “Isë&Hashim, urime 1 prilli dita juaj”, ua kanë rikujtuar atyre disa nga shkeljet e ligjit, të cilat thonë se i kanë bërë.
Adonis Tahiri, i Vetëvendosjes ka thënë se tashmë e kanë të qartë se qeveritarët e kanë shpërfill qytetarin dhe se komunikimi me ta ka qenë vetëm përmes rrenave.
“Prandaj, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, sot shpërfaqën edhe një herë 18 nga rrenat më të mëdha publike të Mustafës dhe Thaçit, 9 të njërit dhe 9 të tjetrit, për të shënuar kështu 1 Prillin – Ditën e Isës dhe Hashimit”, ka thënë Tahiri.
Ai ka vlerësuar se këta dy e kanë shkel Kushtetutën me marrëveshjen për Zajednicën dhe për këtë arsye, aktivistët kanë dal sot tua urojnë 1 prillin./Insajderi.com