
Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që të prishë koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, pas publikimit të “Dosjes së Shefave” nga Gazeta Insajderi, me qëllim të siç kanë thënë në këtë subjekt politik “distancimit nga kriminelët”.
Xhelal Sfeqla anëtar i VV-së nëpërmes konferencës për media duke i quajtur “kriminel “ Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin tha se ata nuk po rreshtin së plaçkituri popullin.
Sipas tij nga përgjimet e publikuara sot u dëshmua se përmasat e krimit në Kosovë nuk janë vetëm familjarë por kanë prek edhe fabrikat.
“Kryekrimineli është president, kemi një qëndrim të LDK-së që është i turpshëm, në vend që LDK-ja të distancohet nga këto se ka krimi ata dalin me deklarata se Thaçi është president i shkëlqyer. PDK dhe Pronto po marrin në heshtje përkrahjen e LDK-së”, tha Sfeqla.
Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të kërkojë llogari nga deputeti Shaip Muja, për sic tha ai korrupsionin në ndërmarrjen Ferronikeli, pasi që ai në këto përgjime, zotohej se në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, do t’i akuzonte bashkëpartiakët e tij për korrupsion në këtë ndërmarrje.
“Të gjithë janë të zhytur”, thoshte ai.
I pyetur për fyerjen që Grabovci bënë ndaj Albin Kurtit duke e quajtur “peder”, Sfeqla tha se nuk duan të merren me gjuhën që është përdorur nga protagonistët, pasi që thotë ai “u konfirmua gjuha e vetme që ata dinë të përdorin”.
Kurse Donika Kadaj-Bujupi deputetja e VV-së, e cila deri para pak muajsh ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka kritikuar ish partinë duke e akuzuar për marrëveshje të fshehta për arritje deri të pushteti.
“As AAK-ja nuk ka dal me deklarata e kjo është një konfirmim i bashkëpunimit të fshehtë. Ka ardhë momenti i fundit që LDK-ja ta prish koalicionin e AAK-ja të distancohet”, tha Kadaj-Bujupi. /Insajderi.com