Shpend Ahmeti kryetari i Prishtinës dhe anëtarë i kryesisë së VV-së, duke folur për përgjimet e publikuara nga Gazeta Insajderi, përmes konferencës për media tha se kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi e ka rastin të dëshmoj punën e pavarur duke marrë veprime të domosdoshme për vendin.
“Nëse kryetari i Gjykatës së Apelit është vendosur vetëm me një telefonatë merreni me mend se sa njerëz, gjykatës e prokuror janë vendosur aty në këtë mënyrë. Kryeprokurori tashmë e ka shansin më të mirë në detyrën e tij, të veproj në bazë të ligjeve dhe të dëshmoj për fjalët e tij të dhëna në sistemin e drejtësisë. Mendoj që është koha të kthehet jeta e lirë e qytetarit”, ka thënë Ahmeti.
Ai gjithashtu tha se këto përgjime, tregojnë se situata është shumë më serioze dhe pasojat janë shumë të mëdha.
Anëtari tjetër i kësaj partie Sami Kurteshi tha se është lojë fjalësh deklarimin se në Kosovë ka ndarje të qartë mes pushteteve, “pasi që janë qeveritarët që po kontrollojnë edhe legjislativin edhe gjyqësorin”.
“Sa herë që e kemi kritikuar apo akuzuar këtë sistem, na kanë thënë vazhdimisht ‘drejtohuni në Prokurori’, por kjo ishte një ftesë cinike sepse po shihet se kush është sot në krye të këtyre institucioneve të drejtësisë”, deklaroi Kurteshi.
Lëvizja Vetëvendosje përmes kësaj konference edhe një herë bëri thirrje për mobilizimin e qytetarëve për ta kundërshtuar pushtetin. /Insajderi.com