Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Prishtinës, Gëzim Sveqla sot ka denoncuar në facebook kontratën e negociuar të “Prishtina Parking”, shkruan Insajderi. Kësisoji, pak orë më vonë reagoi edhe dega e VV-së në Prishtinë.
Sipas reagimit të degës, kjo kontratë është e jashtëligjshme dhe njëkohësisht e dëmshme financiarisht.
Sipas grupit të këshilltarëve komunal të LVV-së, kontrata që ndërmarrja publike komunale “Prishtina Parking” e ka realizuar me një operator ekonomik është e dyshimt.
“Grupi i Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, reagon ndaj një kontrate të dyshimtë që Ndërmarja Publike Komunale “Prishtina Parking” e ka realizuar me një operator ekonomik. Bëhet fjalë për kontratën e titulluar “Shërbime për menaxhimin e parkingjeve”, thuhet në postim.
Të njëjtit kanë ngritur dyshime edhe me shumën e aplikacionit pasi sipas tyre ka vlerë shumëfish më të vogël sesa shuma e kontraktuar.
Njëherit kjo kontratë po konsiderohet edhe si e panevojshme, pa ndonjë emergjencë që të bëhet pa negociuar dhe pa e publikuar kontratën.
VV-ja, dega në Prishtinë e ka vlerësuar më të rëndësishëm miratimin e Rregullores së re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje.
“Më e rëndësishme dhe më emergjente, për qytetin dhe qytetarët, është miratimi i Rregullorës se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje”, thuhet në reagim.
Ata kanë kërkuar hetim për keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike. Skandali tjetër, sipas grupit të VV-së është përshkrimi i shërbimeve që ofrohen/kërkohen me këtë kontratë.
“Skandal tjetër është edhe përshkrimi i shërbimeve që ofrohen/kërkohen me këtë kontratë. Aty kemi të bëjmë me tendencë për të marrë kompetenca që janë ekskluzivitet i Policisë së Kosovës”, thuhet në postimin e VV-së në facebook.
Postimi i plotë:
KONTRATË E PALIGJSHME DHE FINANCIARISHT E DËMSHME
Grupi i Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, reagon ndaj një kontrate të dyshimtë që Ndërmarja Publike Komunale “Prishtina Parking” e ka realizuar me një operator ekonomik. Bëhet fjalë për kontratën e titulluar “Shërbime për menaxhimin e parkingjeve”.
Fillimisht duhet thënë se ka qenë krejt e panevojshme që një kontratë e tillë të bëhet në formën si ka ndodhur. Nuk ka pasë asnjë emergjencë që e njejta të bëhet me procedure të negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës.
Më e rëndësishme dhe më emergjente, për qytetin dhe qytetarët, është miratimi i Rregullorës se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje.
Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumfish herë më e vogël.
Në këtë rast, ftojmë organet kompetente t’i fillojnë hetimet për këtë keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike.
Skandal tjetër është edhe përshkrimi i shërbimeve që ofrohen/kërkohen me këtë kontratë. Aty kemi të bëjmë me tendencë për të marrë kompetenca që janë ekskluzivitet i Policisë së Kosovës.
Prandaj, kërkojmë që sa më parë ta anulohet kjo kontratë e paligjshme.
“Prishtina Parking”, me tolerimin që i bëhet nga Kryetari Përparim Rama i LDK-së dhe Komuna e Prishtinës, vazhdon të jetë ndërmarrje që qytetarëve më shumë iu shkakton shqetësime e dëme se sa që iu ofron shërbime e lehtësira.