
Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Arsimit, Avni Morinën.
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Rahovec e ka cilësuar si të vonuar shkarkimin e drejtorit të arsimit.
“Avni Morina ka qenë nën hetime nga Inspektorati i Arsimit dhe pasi kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifit, i ishte dhënë afati 7 ditor për ta liruar nga pozita, në ditën e fundit të afatit ai e shkarkoi drejtorin skandaloz”, thuhet në reagimin e VV-së derisa numërojnë shkeljet që ka bërë drejtori në fjalë.
Tutje, kanë kërkuar që Smajl Latifi të jap llogari para qytetarëve.
Njoftimi i plotë:
Shkarkimi i vonuar, i drejtorit të arsimit të shkatërruar!
Sot gjatë ditës morëm lajmin se në ditën e fundit të afatit të paraparë për shkarkimin e tij, kryetari i komunës Smajl Latifi, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e arsimit, Avni Morina.
Avni Morina ka qenë nën hetime nga Inspektorati i Arsimit dhe pasi kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifit, i ishte dhënë afati 7 ditor për ta liruar nga pozita, në ditën e fundit të afatit ai e shkarkoi drejtorin skandaloz.
Avni Morina gjatë mandatit të tij ka qenë autor i një varg skandalesh, natyrisht në bashkëpunim me kryetarin në ikje, Smajl Latifi, duke përfshirë largimet nga puna për arsye politike, punësimet politike, kurdisje të konkurseve dhe mos zbatim i kontratës kolektive, tenderë etj.
Ky është hap tejet i vonuar për shkarkimin e këtij drejtori nga kryetari Smajl Latifi.
Ish-drejtori Avni Morina do të japë përgjegjësi para ligjit për të bëmat e tij.
Ndërkaq, shefi i tij Smajl Latifi duhet të japë përgjegjësi publike para qytetarëve, shoqërisë civile, mediave dhe krejt në fund të dënohet nga qytetarët më 17 tetor për qeverisjen e tij që shkatërroi çdo sektor.
Ndërkohë, sektori i Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë kërkoi nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që të iniciojë procedura disiplinore dhe ligjore për shkarkim nga detyra të drejtorit të Arsimit të Rahovecit, Avni Morina.
Vendimi për kërkesën për shkarkim erdhi pasi Morina kishte nxjerrë një vendim i cili obligonte të gjithë drejtorët e shkollave të mos lëshojnë vërtetime për përvojën e punës dhe numrin e ditëve të mësimit të punonjësve arsimorë të shkollave./Insajderi.org