Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar për rastin e djeshëm ku disa nxënës të komuniteteve joshumicë u lanë në një hapësirë të veçantë në Festën e Abetares në Karagaç të Pejës.
Vetëvendosje tha se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të ligjit. Për më tepër, kjo parti thotë se kjo ngjarje është e turpshme, derisa tha se është prapa zotimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që kjo çështje do të shqyrtohet qysh sot në DKA-të e Pejës.
Postimi i plotë:
Jo Segregacionit!
Çdo veçim, dallim, përjashtim, kufizim ose preferencë në çfarëdo baze tjetër, në çfarëdo rrethane i nxënëseve në hapësira shkollore, është absolutisht i papranueshëm, kundërkushtetues i jashtëligjshëm dhe i dënueshëm.
Ngjarja si kjo e djeshme në Pejë, ku fëmijët romë, ashkalinjë dhe egjiptianë në “Festën e Abetares” u veçuan nga pjesa tjetër e fëmijëve, është ngjarje e turpshme dhe nuk i duhet dhënë as më të voglën mundësi që të mund të përsëritet prapë. Segregimi është i patolerueshëm dhe i ndëshkueshëm.
Si Lëvizje VETËVENDOSJE! dënojmë çfarëdolloj veprimi të tillë, dhe qëndrojmë prapa zotimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që kjo çështje do të shqyrtohet qysh sot në DKA-të e Pejës.
Parimi i mosdiskriminimit është bazë parimore dhe programore e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi andaj duhet respektuar dhe jetësuar në të gjitha nivelet.