
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka zyrtarizuar ministrin Hajrullah Çeku si kandidat për kryetar të kryeqytetit.
Në ngjarjen ku u bë prezantimi zyrtar, mori pjesë edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili garën për Prishtinën e cilësoi si “detyrë historike”.
Çeku, përmes një postimi në Facebook, tha se ky nuk është vetëm një hap formal, por një zotim i qartë për një drejtim të ri për kryeqytetin.
“Një Prishtinë që funksionon, që zhvillohet dhe që nuk lë askënd pas”, shkroi ai.
Ajo që nuk kaloi pa vëmendje ishte gjesti i Çekut në skenë – i cili, pasi mori fjalën si kandidat, ia zgjati dorën Mefail Bajqinovcit.
Ky i fundit ishte përmendur më herët si një prej të interesuarve për kandidaturën, megjithëse këtë interes e kishte shprehur në mënyrë të tërthortë.
Por në fund, partia vendosi për Çekun – ndërsa Bajqinovcit, të paktën për tani, i mbetet vetëm vendi në sallë dhe duartrokitja për kandidatin që nuk ishte ai.