×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Walker: Është gabim i madh të bëhet Asociacioni, s’po mund ta kuptoj Kurtin pse dëshiron ta nënshkruajë marrëveshjen ashtu siç është

    Insajderi
    19 March 2023 - 22:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Mendoj se kjo është gabim i madh”, tha ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, në një bisedë me Insajderin rreth zotimit të bërë në Ohër që Kosova “të nis menjëherë” zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Bazë ku komunitetit serb “i sigurohet një nivel i duhur vetëmenaxhimi” në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shmicë Serbe.

    Walker thotë se do të ishte “tejet kritik” nëse Kosova nënshkruan themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe brenda një marrëveshje e cila edhe ashtu nuk përmban njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi. Mes tjerash, ai është kritik edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar që po e shtynë para pikërisht çështjen e Asociacionit.

    “Kjo çështja e Asociacionit të komunitetit serb ose diçka e ngjashme për mua është njëfarë prishëse e marrëveshjes (deal-breaker). Do të isha tejet kritik nëse Kosova e nënshkruan atë. Mendoj se kjo është gabim i madh. Edhe për BE-në që e shtynë e para këtë. Për mua është diçka që ska kurrfarë kuptimi, që të jepen të drejta edhe më speciale një komuniteti pakicë, e cila tashmë edhe ka më shumë se një hise në të drejtat e pakicave, më shumë se në cilindo vend në Evropë që unë e di, e gati edhe në botë”, tha William Walker për Insajderin.

    Pyetur nga Insajderi se “a kishte zgjidhje tjetër” Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ngase kjo është njëra nga kërkesat më strikte amerikane, Walker përsëri konsideron se është gabim të shtyhet kjo çështje para.

    “Unë s’kam pasur rastin të flas me Escobarin ose me dikë nga qeveria amerikane rreth kësaj, nuk e di se çfarë ka prapa saj, që të jenë në favor të kësaj, sepse siç thash, unë personalisht këtë e shoh si gabim të përfshihet diçka e tillë. Por, e di që po shtyhet para, ndaj Kosovës, ndaj qeverisë së Kurtit, që të pranojnë këtë, dhe po them se do të ishte gabim që të bënte këtë”, tha ish-ambasadori.

    Në vërejtjen e Insajderit se në fakt është vetë kryeministri kosovar ai i cili ka qenë “më i eturi” që kësaj marrëveshje t’i vendoset firma e të kalojë në një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët, Walker shprehet se s’e kupton qëndrimin e tij.

    “Nuk jam i sigurt që e kuptoj Albini kur thotë se unë e nënshkruaj kështu siç është, ose dëshiron që ta nënshkruajë. Nëse aty nuk ka njohje, unë e shoh gabim që ai ta nënshkruaj”, përfundoi ai./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark