Walker shpallet "Qytetar Nderi" i Komunës së Gjilanit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Walker shpallet “Qytetar Nderi” i Komunës së Gjilanit

    Insajderi
    16 January 2017 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin William Walker.

    Këtë çmim, në një seancë solemne të Kuvendit, ambasadorit Walker ia ka dorëzuar sot kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.

    Ish-ambasadori Walker, pasi e ka pranuar titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari Lutfi Haziri, është shprehur i impresionuar nga puna e përbashkët e subjekteve politike në Gjilan, si dhe përfaqësimi i gruas në vendimmarrje, që më herët nuk ka qenë kështu.

    “Përvoja ime e parë në Kosovë, ka qenë kryesisht takime me burra, ndërsa tani më shumë bie në dukje roli i femrës në politikë dhe vendimmarrje”, ka thënë Walker.

    Ai ka thënë se në Kosovë ka edhe ndryshime tjera shumë të mëdha në krahasim me vitin 1999, ndërkohë që i ftoi të gjitha partitë politike që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit të tyre.

    Duke rikujtuar masakrën e Reçakut, ish-ambasadori Walker tha se kur erdhëm në Kosovë, në vitin 1999, misioni ynë ishte neutral, por unë shumë shpejt e pashë se këtu nuk bëhej fjalë për neutralitet.

    “Ngjarjet në terren treguan se këtu, një qeveri me forca policore, ushtarake, paramilitare e me sisteme të sigurisë, po luftonte kundër një populli të pambrojtur”, ka thënë Walker.

    Walker tha se me pavarësimin e vendit, shqiptarët dëshmuan se mund ta marrin në dorë shtetin dhe nënvizoi se personalisht është dhe do të mbetet një mik emocional me këtë popull.

    Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri me këtë rast ka thënë se Komuna e Gjilanit nderoi njërin prej njerëzve, i cili i dha shpresë të ardhmes, në kohën kur rezistohej e luftohej me armë kundër pushtuesit dhe punohej kolektivisht për të arritur lirinë.

    Haziri theksoi se ambasadori Walker i dha shpresë çdo luftëtari, çdo familje, çdo të burgosuri e çdo individi dhe e falënderoi atë për kontributin që ka dhënë që të fitohej liria kolektive dhe që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark