Pakënaqësi të mwdha tek qeveria greke kanë ngjallur kabllogramet konfidenciale të publikuara sot nga Wikileaks, në të cilat zbulohen bisedat e një telekonference mes drejtorit te Çështjeve Evropiane të FMN-së, Paul Thomsen dhe shefes së misionit në Athinë, Delia Velkouleskou dhe përgjegjësen e ekipit teknik të Fondit, Iva Petrova.
Biseda këto, të cilat minojnë vlerësimin e programit qeveritar nga ekspertët e kreditorëve që pritet të fillojë të hënën.
“Nuk do të pranoj një paketë më të vogël masash. As që bëhet fjalë. Në të kaluarën vetëm një herë u morën masa dhe ndodhi kur grekët mbetën pa para dhe mund të falimentonin.
Dhe ndoshta kjo është ajo që do të ndodhë përsëri”, duket se ka thënë Thomsen, i njohur në opinion grek si përfaqësuesi i parë dhe më i ashpër i FMN në Athinë në fillimet e krizës.
Por midis të tjerash, me tone ironike zyrtari i lartë i FMN duket se kërkon t’i bëjë shantazh Berlinit për të pranuar pozicionimet e organizmit financiar në çështjen e reduktimit të borxhit grek.
“Do t’i themi Merkelit, ‘ju duhet të mendoni se çfarë është më e kushtueshme, të vazhdoni pa FMN dhe më pas Bundestagu t’ju pyesë, FMN nuk është në bord? Apo të bëni një lehtësim të borxhit për të cilin ne si Fond besojmë se i duhet Greqisë, në mënyrë që të na mbani ende në bord’”, citohet Thomsen. /Insajderi.com