Barcelona e nisi mjaft mirë sezonin e ri në La Liga duke i fituar pesë ndeshjet e para të kampionatit.
Një prej diferencave kryesore në krahasim me edicionin e kaluar është natyrisht trajneri, duke e pasur parasysh se më në bankinë nuk ulet Xavi Hernandez, por Hansi Flick.
Pas ndeshjes së fundit, mesfushori Pedri nënvizoi se si lojtarët po punojnë më shumë në krahasim me të kaluarën, me përgatitësit e rinj atletikë dhe se skuadra nuk po bie më në minutën e 70-të apo të 80-të.
Sipas mediumit spanjoll “AS”, Xavit nuk i kanë pëlqyer këto deklarata, pasi kur “Blaugrana” e fituan titullin e kampionit me të, statistikat e “mediacoach” evidentuar se Barcelona ishte klubi më i mirë në nivelin atletik.
Ish-trajneri ka mbetur mjaft i befasuar me fjalët e mesfushorit, por edhe ndaj disa mesazheve që vijnë nga klubi pas largimit të tij, përcjell Express.
Trajneri spanjoll, aktualisht pa skuadër, ndien se bashkë me stafin e tij, në brendësi tek Barcelona është nisur një kampanjë për ta diskredituar atë që e ka bërë njëri prej ish-futbollistëve më të mirë në histori të klubit, ndërkohë që po e lartësojnë punën e gjermanit Flick.
Xavi e ka mbrojtur Pedrin në disa raste të lëndimeve, ndërsa ishte i paprekshëm për të dhe nuk e ka pritur aspak mirë atë që e ka thënë përfaqësuesi spanjoll për të.
Legjenda e gjigantit katalunas ishte në bankinë të këtij klubi nga 7 nëntori i vitit 2021 deri më 30 qershor të vitit 2024, duke e drejtuar ekipin në 143 ndeshje dhe duke e pasur një mesatare prej 2,07 pikësh për ndeshje.