
Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, ka përmendur rëndësinë e fermerëve për zhvillimin e komunës, duke i quajtur ata “zemra e Vushtrrisë”.
Në një takim me mbi 100 fermerë të kësaj komune, Tahiri ka shpalosur programin e tij për bujqësinë, duke u zotuar se mbështetja për këtë sektor do të jetë prioritet kryesor në mandatin e tij.
“Fermerët janë zemra e Vushtrrisë! Mbështetja nga fermerët është themeli i fitores sonë. Jam shumë i lumtur që në mandatin tonë kemi qenë krah për krah me fermerët e vyer të Vushtrrisë, të cilët me djersën e ballit na japin ushqime në sofrën tonë”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka kritikuar ngecjet në bujqësi gjatë katër viteve të fundit, duke paraqitur një listë të zotimeve konkrete:
0.07 € për çdo litër qumështi të prodhuar;
Heqje e tatimit në pronë për fermat dhe objektet bujqësore;
75% subvencionim të ujitjes së tokave bujqësore përmes Ibër Lepencit;
Subvencionim të kamatës për kreditë në zhvillimin e agrobizneseve dhe bujqësisë;
Ndërtim të kanaleve kulluese dhe rrugëve të rendit të 4-të për lehtësimin e qasjes në tokat bujqësore;
Ndërtim të tregjeve, depove dhe pikave grumbulluese për fermerët në fshatrat e Vushtrrisë.
Tahiri tha se përkrahja e fermerëve do të mbetet bosht i zhvillimit ekonomik dhe garanci për mirëqenien e qytetarëve të Vushtrrisë.