
Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri, ka prezantuar listën e kandidatëve të LDK’së për asamble Komunale në Vushtri.
Ai ka thënë se rruga e nisur bashkë me qytetarët është një angazhim i përbashkët për të ardhmen e Vushtrrisë.
“Sot nuk po flas veç si kryetar, po si shok i juaji, si bashkudhëtar në një rrugë që e kemi nisë bashkë. Kur shoh këtë listë, s’shoh veç emra. Shoh gra të forta, profesioniste të përgatitura, të gatshme me marrë përgjegjësi e me kthy besimin te qytetari. Shoh burra me përvojë, me dije e me dashni për këtë vend. Kjo është forca jonë – që kemi njerëz të vërtetë, me histori të vërteta”, u shpreh Tahiri.
Ai theksoi se prioriteti kryesor i programit të tij është familja, duke vlerësuar sakrificën e nënave, mundin e prindërve dhe ëndrrat e të rinjve për një të ardhme më të mirë.
“Ju jeni fytyrat që qytetari do t’i besojë, zërat që do ta mbrojnë secilën shtëpi, secilën nënë, secilin fëmijë. Na pret punë e madhe, po edhe nder i madh. Hajde ta bëjmë këtë rrugë me përulësi, me besim e me dashni për qytetin tonë. Se pushteti vjen e shkon, po ajo ndjenja që ke punu për njerëzit e tu, ajo mbetet gjithmonë! E për mu, kjo është fitorja ma e madhe”, tha ndër të tjera Xhafer Tahiri.