Xhaferi: Bllokada nuk është çështje numrash - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Xhaferi: Bllokada nuk është çështje numrash

    Insajderi
    29 July 2025 - 21:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka komentuar krizën institucionale në vend. Ai theksoi se problemi nuk qëndron te mungesa e numrave në Kuvend, por te një mendësi politike përjashtuese e instaluar nga udhëheqja aktuale, e cila, sipas tij, “nuk njeh gjuhën e bashkëpunimit, por të përçarjes”.

    “Nuk kemi mungesë numrash, por mungesë vullneti për bashkëpunim. Kemi një qasje autoritare ku një parti imponon rendin e ditës dhe shpërfill institucionet kushtetuese”, deklaroi Xhaferi. Ai shtoi se LDK i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar ligjshmërinë e këtij veprimi.

    Deputeti potencoi se vendimi i Gjykatës është kyç për të dalë nga ngërçi politik. “Jemi në një situatë ku 30-ditëshi ka kaluar dhe tashmë po ndihen pasojat. Nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të mosrespektimit të afatit kushtetues, atëherë krijohet një precedent i rrezikshëm,” paralajmëroi ai në RTK.

    Sipas Xhaferit, vendi mund të futet në një cikël të pafund zgjedhjesh pa arritur një zgjidhje reale, nëse nuk ndryshohet qasja politike. “Nëse shkojmë në zgjedhje me këtë format, do të kemi prapë bllokadë. Do të shpenzohen miliona euro pa e zgjidhur problemin politik”, tha Xhaferi.

    Ai bëri thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, duke theksuar se votimi i hapur nuk përjashton zgjidhjen, pasi ka vullnet edhe nga parti të tjera për të tejkaluar situatën. “Nëse një kandidat nuk kalon, mund të kalojë një tjetër. Rëndësi ka të ketë vullnet politik për të ecur përpara dhe për ta rikthyer funksionalitetin e institucioneve”, tha ai.

    Xhaferi bëri apel që institucionet dhe partitë të mos lejojnë që vendi të vazhdojë në këtë gjendje të bllokuar pafundësisht. “Duhet të vendoset një afat kohor për zgjidhje. Kosova nuk mund të ecë përpara me bllokadë të përhershme institucionale”, shtoi ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark