Për Granit Xhakën nuk është shumë emocionuese ndeshja ndaj Shqipërisë dhe vëllait të tij të shtunën, derisa shpalosi edhe objektivat e tij dhe të Zvicrës gjatë këtij Kampionati Evropian.
Mesfushori i Zvicrës tha se përfaqësuesja e tij do të synojë minimalisht të futet në çerekfinale,
“Për mua kualifikimi në çerekfinale të Europianit është objektivi minimal që duhet të arrijë Zvicra. Edhe gjatë Kupës së Botës që u zhvillua në Brazil treguam nivel të lartë dhe u eliminuam nga Argjentina vetëm pas kohës shtesë dhe të mos harrojmë që Argjentina shkoi deri në finale”, tha futbollisti i Arsenalit.
Ndeshja e parë me Shqipërinë do të jetë shumë e veçantë për mesfushorin e Arsenalit, pasi do të ketë përballë vëllanë e tij. 23-vjeçari mundohet t’i fsheh emocionet, duke theksuar se nuk e ka problem faktin që do t’i duhet të mposhtë Taulantin.
“Dy-tre javët e para pas shortit, ishte shumë e veçantë për ne. Të gjithë na pyesnin sesi do të mund të luajmë kundër njëri-tjetrit. Tani mendoj se të dy nuk e kemi problem, pra e kemi kaluar atë faze emocionuese”, deklaroi Xhaka.
Graniti është i bindur se Zvicra mund të surprizojë në Europian, madje gjen rastin edhe të thumbojë gjermanët, me të cilën përfaqësuesja helvete mund të përplaset në gjysmëfinale.
“Ne jemi gati, madje shpresoj që në gjysmefinale të përballemi me Gjermaninë dhe ta eliminojmë. Le t’i lëmë mënjanë shakatë, skuadra e Low është favorite për ta fituar turneun”, tha ai. /Insajderi.com