Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Hyrije Xhemajlaj-Thaçi, e cila është motra e Isa Xhemaljajt, kandidatit të NISMA-s për kryetar të Drenasit, që u shkarkua sot nga kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci me arsyen se ndaj saj është ngritur një aktakuzë, sipas vet Xhemajlaj-Thaçi është një vendim i pritur.
Ndaj saj është ngritur një aktakuzë të ngritur në verën e vitit 2016 për blerjen e një kamioni të zjarrfikësve.
Në një prononcim për Insajderin, Xhemajlaj-Thaçi ka thënë se ka qenë i pritshëm ky vendim i Lladrovcit.
“Vendimi i z.Lladrovci për mua ka qenë i pritur”, ka thënë ajo për Insajderin, pa komentuar se për cilat arsye e ka pritur këtë vendim.
Më herët, vëllai i Xhemajlaj-Thaci, ish-kundërkandidati i Llarovcit në zgjedhjet për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj kishte thënë se Lladrovci është hakmarrë ndaj tij duke ia shkarkuar motrën nga detyra.
E sipas Xhemajlaj-Thaçit, aktakuza ndaj saj është e paqëndrueshme.
“Ai kamion ka pranim teknik me asistim të zyrtarëve të Agjencionit për Emergjenca”, ka thënë Xhemajlaj-Thaçi për Insajderin.
Rasti për të cilin akuzohet drejtoresha e Komunës së Drenasit, bashkë edhe me dy zyrtarë të tjerë dhe një person me biznes privat, është blerja e një kamioni në shumën 110.000 që shërben për fikjen e zjarrit, por që i njëjti, sipas prokurorisë “nuk i plotëson kriteret sipas kontratës dhe se pagesa për këtë kamion ishte bërë para se të bëhet pranimi teknik i mallit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik”./Insajderi.com
Për çfarë akuzohet motra e Isa Xhemajlajt, e shkarkuar nga Lladrovci