Një lojtar i Manchester United pritet të largohet në janar, ku tashmë tri klube nga Liga Premier thuhet se janë të interesuara për transferimin e tij.
Ruben Amorim pritet që ta përjetojë afatin e parë kalimtar me Manchester United, pasi të hapet afati kalimtar i janarit.
Por, para hapjes së këtij afati, një lojtar tashmë thuhet se është afër largimit nga ‘Old Trafford’.
Sipas një raportimi nga CaughtOffside, Victor Lindelof mund të largohet muajin e ardhshëm teksa suedezi ka oferta nga Newcastle United, West Ham dhe Everton.
30-vjeçari gjithashtu ka oferta edhe jashtë Anglisë, ku në Itali besohet se Milan, Inter, Juventus, Lazio dhe Fiorentina, që të gjitha po ndjekin nga afër situatën e tij.
Tutje sipas këtij raporti, ‘Djajtë e Kuq’ janë të gatshëm që ta shesin Lindelof, i cili edhe vet personalisht i ka komunikuar drejtuesve të klubit dëshirën për t’u larguar.
Kontrata e tij pritet që të skadojë verën e ardhshme që do të thotë se mund të largohet nga Unitedi si lojtar i lirë.
Sidoqoftë, ekziston edhe një mundësi që ai të largohet nga janari për një shumë modeste të parave.
Kjo pasi Unitedi do të kërkonte rreth 6 ose 7 milionë euro për ta lënë atë të largohet qysh në afatin kalimtar dimëror.