Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, ka mbështetur aktin e dorëheqjes së ish-kryeinspektorit të urabnizmit në kryeqytet, Xhelal Sveçla, pas rastit tragjik në lagjen “Kolovicë” të Prishtinës.
Ymeri ka thënë se akti i ish-kryeinspektorit të urbanizmit në Prishtinë, Xhelal Sfeqlës, është vetëdijsues për të tjerët.
“E mbështesë plotësisht aktin moral dhe vetëdijësues të Xhelal Sveçlës. Dorëheqja e tij nuk flet për të personalisht, por për katandisjen që i ka ndodhur dhe po ndodh shtetit e institucioneve tona. Aq e thellë e e gjerë është bërë ajo sa që përpjekja titanike për ta luftuar atë nganjëherë nuk është e mjaftueshme”, ka shkruar Ymeri.
I pari i VV-së zotohet se partia e tij do ta luftojë “krimin, uzurpimin dhe degradimin” edhe pas dorëheqjes morale të ish-drejtorit të urbanizmit.
“Ne nuk dorëzohemi. Bashkë me Xhelalin dhe me aktivistët tjerë të Lëvizjes do ta luftojmë kudo e kurdo krimin, uzurpimin, degradimin që na e kanë zaptuar hapësirën e po na shkatërrojnë të tashmen e të ardhmen”, ka thënë ai, njofton Insajderi.
Dy fëmijë të moshës 11, respektivisht 13 vjeçare, humbën jetën në një gropë të mbushur me ujë në Kolovicë të Prishtinës. /Insajderi.com