
Visar Ymeri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se zgjedhja e Hashim Thaçit si president i vendit është bërë përmes blerjes së votës së deputetëve.
“Duhet të kemi parasysh që këtu jo vetëm që është zgjedhur një person president, ose përmes kësaj procedure që e kapi majën e shtetit në njëfarë mënyre, por duhet ta kemi parasysh po ashtu, që është folur për një kohë të gjatë rreth kësaj çështjeje që ka një tendencë të vazhdueshme për blerjen e votave të deputetëve,” ka thënë ai.
“Dhe në këtë drejtim konsideroj që këtu është ngritur në një nivel më të lartë kjo blerja e votës, që e kemi parë të ndodhë në proceset elektorale në Kosovë.”
Këto komente Ymeri i bëri në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, ku bëri të ditur edhe një herë se partitë opozitare janë duke e analizuar procesin e zgjedhjes së presidentit në mënyrë që të shikohet mundësia e kontestimit në Gjykatën Kushtetuese.
“Këtë jemi duke e shqyrtuar dhe jemi në konsultim edhe me dy subjektet tjera opozitare edhe me ekspertët kushtetues e juridik, jo vetëm brenda subjekteve, por edhe jashtë në mënyrë që ta shqyrtojmë mundësinë nëse ka bazë dhe nëse kjo është e mundur që kjo të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai./Insajderi.com