Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, përmes një statusi në Facebook ka dhënë vërejtje të shumta për Projektligjin për Trepçën, i cili sot do të dal për votim në Kuvendin e Kosovës.
Ymeri thotë se Projektligji siç është propozuar nga Qeveria do të duhej të ndryshohej pasi që nuk e shpëton këtë ndërmarrje, vetëm sa e privatizon atë Qeveria.
“Me këtë ligj Trepça nuk bëhet e Republikës së Kosovës por vendoset, siç thuhet aty, në pronësi të Qeverisë, ndërkohë që 20% të aksioneve në pronësi të punëtorëve. E Qeveria me ligjin e propozuar na tregon se synim ka privatizimin”, shkruan Ymeri.
Sipas Ymerit edhe modalitetet investuese që parashihen me ligj u ngjajnë atyre privatizuese pasi ato do të merren nga Bordi Mbikëqyrës bashkë me Qeverinë e jo nga Kuvendi.
“Në asnjë mënyrë nuk bën ta lëmë Trepçën nën kërcënimin për likuidim ku e kanë vendosur po këto institucione… Ligj për Trepçën duhet domosdoshmërisht ta transformojë Trepçën në ndërmarrje publike të veçantë, e cila do ta gëzonte këtë status të veçantisë karshi prioriteteve të investimeve publike për rimëkëmbje e rritje të prodhimit e të punësimit, dhe vendimet për të cilën domosdoshmërisht do të merreshin me shumicë të kualifikuar të votave të deputetëve”, shkruan Ymeri. /Insajderi.com