Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar lidhure me trajtimin sic ka thënë “si rob lufte” të drejtorit të policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, të cilit gjykata në Serbi i shqiptoi masën e arrestit prej 30 ditësh.
“Mund të mos jemi më në luftë me Serbinë, por Drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, po mbahet porsi një rob lufte në Serbi”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në facebook.
Ai ka thënë se As Thaçi, as Mustafa, as Veseli dhe asnjë zyrtar i lartë i institucioneve të shtetit të Kosovës nuk guxojnë t’i quajnë Vuçiqin dhe regjimin e tij “ashtu siç ata janë: fashistë, kriminelë, çetnikë, terroristë”.
“Krejt çfarë bënë është se i thanë kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Elmi Reçicës, që të dalë me komunikatë e të thotë që nëse përsëriten këso raste arrestimesh (sic.), atëherë do të ndërpriten bisedimet me Serbinë”, ka shtuar Ymeri.
Ymeri thotë se polici Nehat Thaçi nuk është as i paraburgosur e as i burgosur politik, por një shqiptar i rrëmbyer në vitin 2016 i cili po mbahet si një peng lufte në kazamatet e Serbisë. /Insajderi.com