Një filtër i ri i Youtube kërkon të mbrojë të rinjtë nga videot me përmbajtje të papërshtatshme. Me këtë janë bllokuar edhe videot e komunitetit homoseksual e transgender, që reagoi menjëherë.
Ishte videoblogerja Rowan Ellis ajo që i ra në sy, se kur përdorte filtrin nuk tregoheshin vërtet shumë video në Yuotube, ndër to edhe videot që trajtonin temat e komunitetit LGBT,të njohur si komuniteti homoseksual, lesbik, bi-ose transseksual.
Youtube e ka futur në përdorim një mekanizëm të tillë filtrues për të ndihmuar shkollat të kontrollojnë më mirë përmbajtjet.
Nëse ai klikohet njëherë nuk tregohen më video që „paraqesin dhunë, varësi të çuditshme, por edhe sëmundje si anoreksia.” Por këtu janë përfshirë edhe video, ku trajtohen temat që lidhen me nocione „lesbike”, „transseksuale”, „biseksuale”.
Nga filtri i ri i Youtube janë përfshirë edhe videot e organizatës gjermane „queerblick e.V”, nga 462 video shihen vetëm 7. Paul Klammer bashkëthemelues i shoqatës thotë, se ai nuk e dallon dot se çfarë i dallon 7 videot qe lejohen nga të tjerat që janë bllokuar.
Kanali në Youtube i kësaj organizate ka 38.000 abonentë, dhe është nderuar me disa çmime, ndër të tjera edhe nga Ministria e Familjes. Videot që prezantohen, përgatiten profesionalisht, vetë Klammer është gazetar.
“Në video bëhet fjalë për shqetësimet dhe nevojat e të rinjve, sidomos kur këta janë homoseksualë, lesbikë, bi-apo transseksualë”, thotë ai.
Youtube: “Na vjen keq”
Edhe videoblogerja Rowan Ellis thekson rëndësinë e Youtube për të rinjtë që nuk kanë qartësi për identitetin seksual të tyre. “Ka shumë të rinj që kanë frikë, dhe ndjehen të huaj në trupin e tyre.” 23.500 persona janë abonuar në kanalin e Rowan Ellis. Videoblogerja është ambasadore e Youtube në Britaninë e Madhe. Por atë e zemëron fakti që videot e saj janë bllokuar, ndërsa komentet fyese mund të shihen.
Në një prononcim, Youtube pranon që funksioni i ri nuk punon si duhet. Më tej thuhet, se “na vjen keq për këtë dhe do të përpiqemi ta përmirësojmë.” Por deri më tani nuk ka ndodhur asgjë. Videoblogerja dhe Paul Klammer megjithë kritikat ndaj Youtube nuk do të heqin dorë prej tij.
Sipas Klammer „Youtube është një platformë që i dha jehonë komunitetit LGBT, ai i ka bërë të njohur blogerë dhe producentët e tyre, dhe i ka mbështetur gjithmonë.” Megjithatë Klammer kërkon që filtri i ri të përmirësohet. „LGBT është pjesë e botës, ku jetojmë, edhe nëse i fshijmë apo i lemë në internet.”/DW/