Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, deklaroi sonte në Bruksel se ai pret që BE të përmbushë premtimin e saj dhe të fillojë negociatat e pranimit me vendin e tij në gjysmën e parë të këtij viti.
Para takimit me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, ai tha se po vinte në Bruksel me mesazhe që udhëheqësit e institucioneve të BE-së i dinë, i kuptojnë dhe i miratojnë. Zaev vuri në dukje se Maqedonia Veriore ka bërë shumë dhe se tani është koha që BE të realizojë siç u premtua, pa vonesë.
“Republika e Maqedonisë Veriore ka përfunduar të gjitha detyrimet e saj që dalin nga lista e kritereve për fillimin e procesit përfundimtar të negociatave për anëtarësimin në BE. Komisioni Evropian e njohu atë në raportet e tij të përparimit në Këshillin Evropian dhe ua bëri të qartë shumë udhëheqësve të vendeve anëtare se vendi (ynë) ka një rekomandim të pakushtëzuar për të filluar negociatat,” tha Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë Veriore specifikoi se ai pret një vendim për të pranuar Kornizën Negociuese, duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE dhe se fillimi i negociatave do të zyrtarizohet gjatë Presidencës portugeze të Unionit.
“Përfaqësuesit e BE e dinë dhe e kuptojnë që identiteti ynë maqedonas dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë (temë) për negociata. Ata e dinë dhe e kuptojnë se kurrë nuk ka qenë, e as nuk duhet të jetë, në tryezën evropiane për negociata për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në BE”, tha Zaev.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Sofja vuri veton e miratimit të Kuadrit Negociator dhe fillimit të negociatave të BE me Shkupin, duke shpjeguar se Maqedonia Veriore nuk e përmbush marrëveshjen për fqinjësi të mirë, por gjithashtu me kërkesën për të njohur rrënjët bullgare të identitetit dhe gjuhës maqedonase.
Zaev shtoi se “Maqedonia Veriore është e gatshme në çdo moment dhe ka një vullnet absolutisht të mirë për të diskutuar çështje bilaterale me Bullgarinë në çdo kohë dhe pa ndikuar kjo në pranimin e saj në BE.”
Kryeministri i Maqedonisë Veriore arriti në Bruksel me ftesë të Borrell për të marrë pjesë në një darkë pune me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor sonte, ku ata diskutuan çështje aktuale për rajonin në kontekstin e procesit të pranimit në BE.