Zbehen shpresat për zgjidhjen e krizës nga presidentja - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Zbehen shpresat për zgjidhjen e krizës nga presidentja

    Insajderi
    09 February 2016 - 15:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shpresat se takimet në mes të liderëve të partive qeveritare me përfaqësues të bllokut opozitar do hapin një rrugëdalje për krizën politike janë zbehur pas takimit të parë, nga ku të dyja palët dolën me qëndrimet e tyre tashmë të njohura.

    Në këto rrethana, as nga presidenca e as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si përfaqësuesja e vetme e opozitare në takim, nuk është thënë nëse takimet e tilla do të vazhdojnë së shpejti.

    Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka thënë se partia e tij nuk është duke e diskutuar këtë çështje.

    “Nuk kemi ndonjë vendim tash për tash, do të konsultohemi por është herët një herë,” ka thënë Isufi.

    “Mendojmë se është herët me fol për këtë temë, dhe nuk e kemi temë tash këtë,” ka thënë ai për Insajderin.

    Të hënën, Presidentja Atifete Jahjaga priti në takim përfaqësuesit e dy partive qeveritare – Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin – të cilët u takuan me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Por, me gjithë pritjet se palët do të mund të bënin ndonjë hap në drejtim të zgjidhjes së krizës politikë në vend, një gjë e tillë nuk ndodhi.  Pas takimit, Haradinaj tha se në këtë takim vetëm se e ka ripërsëritur kërkesën e bllokut opozitar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

    Për më tepër, Haradinaj tha se ka shkuar në takim për të ndërkombëtarizuar kauzën e opozitës, duke iu referuar kështu pjesëmarrjes në takim të Ambasadorit amerikan Greg Delawie dhe përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

    AAK së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën për Kosovën janë duke kundërshtuar nënshkrimin e dy marrëveshjeve nga ana e Qeverisë së Kosovës: atë me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave serbe dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin kufitar.

    Duke pretenduar se qeveria ka punuar në dëm të shtetit të Kosovës me këto marrëveshje, blloku opozitar është duke insistuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

    Në anën tjetër, Zyra për Informim e Presidentes Jahaga, nuk ka mundur të thotë nëse së shpejti pritet të ndodhë edhe një takim i radhës.

    “Presidentja Jahjaga vazhdimisht ka theksuar se zgjidhja për tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend është përmes dialogut. Ndaj, ftesa për takime është gjithnjë e hapur”, ka qenë përgjigja e shkurtë nga presidenca.

    Dështimet në takime sjellin zgjedhjet e parakohshme 

    Analisti politik Imer Mushkolaj, duke komentuar takimin e djeshëm tek Presidentja Jahjaga, thotë se çdo herë e më shumë është duke u krijuar përshtypja se zgjedhjet e parakohshme mbesin e vetmja zgjidhje në këtë situatë.

    Sipas tij, takimi në mes të liderëve në këto rrethana është humbje kohe.

    “Nuk do të duhej të ketë takime koti sepse ne e pamë qëndrimin e Haradinajt dhe po ashtu edhe partnerëve të koalicionit.  Në fakt ajo që dihet është se asnjë nga palët nuk ka lëvizur nga qëndrimet e veta dhe duket se me marrëveshje nuk do të mund të zgjidhet kjo situatë”, ka thënë ai.

    “Duket që çdo ditë e më shumë po krijohet një perceptim dhe vendosmëri se zgjedhjte  janë zgjidhje.  Në të kundërtën, dikush me shkop magjik do të duhej të bëjë zgjidhje” ka shtuar ai.

    Në anën tjetër, analisti Belul Beqaj, ka thënë se do të duhej të gjendej një zgjidhje që nuk e dërgon vendin në zgjedhje, por që sipas tij, nuk i mundëson qëndrimin në pushtet kësaj qeverie.

    Si zgjidhje, Beqaj ka përmendur se vendit i duhet një qeveri e përkohshme./Insajderi

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark