Kanë dalë detajet rreth asaj se si do të dukej plani për regjistrimin e myslimanëve nën administratën e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto detaje janë zbuluar – me sa duket rastësisht – nga njëri prej anëtarëve të mundshëm të kabinetit të tij si president, Kris Kobach, gjatë ditës së sotme. Kris Kobach është duke u konsideruar favorit i madh për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare, kur Donald Trump do formojë administratën e tij në janarin e vitit të ardhshëm.
Ai është fotografuar derisa po shkonte në një takim të “fshehtë” me presidentin e zgjedhur Trump, derisa në krah mbante një dokument rreth planit strategjik të tij.
Sipas asaj që shkruajnë mediet amerikane, dokumenti përmban rifunksionalizimin e një programi të sigurisë kombëtare pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2002 i quajtur Nseers.
Ky ligj parashihte se personat nga shtetet me shumicë myslimane do t’i kalonin disa kontrolle të mëtejshme dhe do të ishin të përcjellur gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tyre në SHBA.
Plani i Kobach po ashtu pritet të propozojë “reduktimin e numrit të refugjatëve sirianë në Amerikë në zero, duke u bazuar në Aktin e Refugjatëve të vitit 1980”.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e organizatës ndërkombëtare Amnesty International, Naureen Shah, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka thënë se plani i Donald Trump është i papranueshëm, duke paralajmëruar protesta nëse ky plan do të zbatohet. /Insajderi.com