
Nga transferimi i shumëpritur i Florian Wirtz te Liverpooli janë zbuluar detaje të mëtejshme që tregojnë kushtet financiare të marrëveshjes.
Wirtz pritet ta kompletojë transferimin e tij nga Bayer Leverkuseni te Liverpooli gjatë të premtes për një shifër prej 117 milionë euro plus 19 milionë euro tjera në formën e bonuseve.
Por, sa pritet të fitojë ylli gjerman personalisht gjatë qëndrimit në Anfield?
Sipas Fabrizio Romano, mesfushori ofensivë 22-vjeçar pritet të fitojë një pagë rreth 200 mijë funte (234 mijë euro) në javë, së bashku me bonuse që lidhen me performancën.
Pra nga një përllogaritje e thjeshtë, Wirtz i bie të fitojë pak më shumë se 12 milionë euro në vit si pagë neto.
Pavarësisht spekulimeve për një pagë më të lartë, burime pranë marrëveshjes kanë sqaruar se paketa e pagave të Wirtz do të mbetet brenda strukturës ekzistuese të pagave të Liverpoolit.